Παρασκευή 5 Μαΐου 2006

Komunikatë

Në datën 4/9/2004 , pas ndeshjes së futbollit Shqipëri-Greqi, emigrantët shqiptarë u goditën barbarisht prej anëtarëve të organizatave ekstremiste të djathta, prej grupeve neonaziste si edhe prej forcave speciale të ruajtjes së rendit. Këto goditje, me karakter racist e nacionalist morrën përmasa të thella në të gjithë Greqinë dhe kishin si rezultat plagosjen e shumë emigrantëve duke arritur kulmin me goditjen vdekjeprurëse që iu dha emigrantit Shqiptar në Zakintho, Gramoz Palushit prej kriminelit racist Kladhis Ksifitas.
Sot në datën 5/5/2006 zhvillohet në Patra gjyqi i këtij krimineli, nën një klimë terrori e ushtruar kundrejt të afërmëve dhe shokëve të viktimës dhe gjithashtu pas shtyrjeve të vazhdueshme të gjyqit pak ditë para skadimit të afatit 18 mujor të paraburgimit. Nuk është hera e parë që ndeshemi me fenomene të tilla ku pothuajse në të gjitha rastet persona ordinerë ose policë kanë kryer akte raciste ndaj emigrantëve, duke iu marrë atyre jetën, janë shpallur të pafajshëm ose janë transferuar nëpër rajone të tjera të policisë.
Pushteti gjyqësor me vendimet e tij jo vetëm që nuk ka mbajtur një qëndrim objektiv ndaj emigrantëve, por në të shumtën e rasteve vendimet e këtij institucioni janë raciste, pasi gjenden me qindra emigrantë nëpër burgje me dënime të rënda, edhe në rastet kur këta emigrantë kanë kryer krime të vogla ordinere.
Është e qartë se në momente dhe situata të tilla , besojmë se e vetmja mënyrë për të përballuar këto fenomene qoftë ato të shkaktura nga shoqeria Greke , qoftë nga institucionet shtetërore, është sensibilizimi dhe veteorganizimi i emigrantëve në mënyrë që të veprojnë e të protestojnë në unitet ndaj racismit e nacionalizmit , shtypjes dhe shfrytëzimit sepse vetëm kështu mund të ushtrojmë presion ndaj qëndrave të pushtetit dhe të fitojmë të drejtat tona.


Locations of visitors to this page