Πέμπτη 28 Νοεμβρίου 2002

Gezuar festën shqiptarë!

Përpara 90 vjetësh një elitë politikanësh dhe udhëheqësish fetarë përpara cënimit, më real se kurrë, të copëtimit të trojeve shqiptare, më ndërgjegje të përpjekjeve heroike të së kaluarës, individuale dhe silogjike, dhe mbështetjen e disa Fuqive të mëdha, shpallën pavarësinë e popullit shqiptar. Ishte deklarata e vedosur e së drejtës për vetvendosje, për vetqeverisje dhe liri e dinjitet kombëtar.
Për 80 vjet me radhë shkelja e thelbit së idesë të shtetit-komb, i cili është e drejta e një shoqërie, nëpërmjet të drejtës së votës, të përcaktojë lirisht rrugën më të përshtatshme për të përparuar nga ana politike, ekonomike dhe kulturore, nga monarkia personale e Ahmet Zogut dhe diktatura izoluese e Enver Hoxhës dhe zhgënjimi që i pasoi ato, e sollën popullin shqiptar në një udhëkryq dhe detyruan shqiptarët të merrnin rrugën e dhimbshme të mërgimit. Nga momenti që shteti i tyre nuk u siguronte mirëqënien dhe sigurinë ata u larguan për ti kërkuar ato nëpër metropolet e Perëndimit.
Pas 12 vjetësh në Greqi, me vetdije të plotë të gabimeve të së kaluarës, të vështirësive të së tashmes dhe pasigurisë së së ardhmes, ju bëjmë thirrje të festojmë ditën e shënuar të pavarësisë së kombit shqiptar. Larg ceremonive qeveritare dhe delireve nacionaliste Forumi i Emigrantëve Shqiptarë ju bën thirrje, vëllezër dhe motra, të mblidhemi për të festuar ditën tonë, ditën e popullit shqiptar, ditën e çdo shqiptari. Por vallë kush është thelbi i kësaj ditë për ne të gjithë?
Në rradhë të parë deklarojmë se qëndrojmë larg glorifikimit të simboleve në vetvete. Mblidhemi për të shprehur njëzërasi besimim tonë se ne mbrojmë, mbështesim dhe ruajmë dinjitetin dhe lirinë kombëtare, flamurin tonë, kur me unitet dhe solidaritet shoqëror mbrojmë, mbështesim dhe ruajmë dinjitetin dhe lirinë e çdo shqiptari, kur ato merren nëpër këmbë dhe shkelen qoftë nga shteti shqiptar, qoftë nga çdo shtet dhe qeveri tjetër si e tillë dhe jo si shprehëse e vullnetit të një njësie etnike. Pra ju thrresim të mbajmë lart flamurin e solidaritetit dhe vëllazërimit me njëri tjetrin si edhe me këdo popull a individ që shtypet dhe shfrytëzohet.
Në rradhë të dytë dhe si pasojë deklarojmë se jemi krenar që jemi shqiptar, jo për atë çka ishim, apo çka do të deshim të ishim, por për atë çka jemi. Nuk kemi nevojë të glorifikojmë kombin tonë sepse nuk vëmë kushte tek dashuria dhe respekti që kemi për njëri-tjetrin, për paraardhësit dhe pasardhësit tanë. Ai i cili lavdëron dhe fryn të kaluarën e tij, ose perfeksionon, duke mohuar të tashmen, realitetin e sotëm, do të thotë që ska siguri për atë çka është, për mundësitë dhe perspektivat e tij. Ne e dimë se kush jemi, me të mirat dhe të metat tona, me përgjegjësite silogjike dhe vetjake dhe pranojmë pa komlekse të kaluarën, mbështesim të tashmen dhe shpresojmë në të ardhmen. Le ti japim dorën secilit prej bashkatdhetarëve tanë, duke mos mohuar asnjë dhe asgjë, sipas interesave që të mos prishim ikonën idiliake që kemi për vetveten, dhe duke mbështetur me mirëbesim njëri tjetrin të bëjmë përpara.
Përfundimisht deklarojmë se mblidhemi sot në mënyrë që politika dhe fatet tona të mos ti lëmë në duart e elitave dhe të çdo lloj Fuqije të Madhe. Mblidhemi që të gjithë së bashku, të ndërgjegjësuar, të kërkojmë që të marrim fatet tona në duart tona, që ti themi jo apatisë dhe individualizmit, i cili lë shtegun e hapur për manipulimet dhe lojrat në kurrizet tona dhe që na le pre në orekset e çdo lloj pushteti dhe qeverije. Mblidhemi që të mos jemi pranues të vendimeve dhe tekave të të tjerëve por ata që do të vetvendosin akivisht për të sotmen dhe të ardhmen e tyre. Mblidhemi këtu që të bëjmë reale dëshirën e mijërave dëshmorëve për vetqeverisje, për thelbin e pavarësisë kombëtare, i cili është e drejta jonë të zgjedhim, dhe jo të na e imponojnë, udhën që do të ndjekim, që të kërkojmë me ngulm dhe jo të presim të na japin të drejtën pët të qënë zot të fatit tonë, që të jetojmël dhe të krijojmë të lirë, si njerëz në rradhë të parë dhe si shqiptarë.
Le të mblidhemi pra në mënyrë që duke deklaruar mbështetjen tonë për liri dhe dinjitet të çdo shqiptari, të mbrojmë lirinë dhe dinjitetin e çdo njeriu kudo në botë, në mënyrë që duke festuar veçantinë dhe larmishmërinë e kulturave, të festojmë unitetin dhe vëllazërimin e mbarë popujve e të njerëzimit.

Gëzuar festën shqiptarë!

28 Nëntor 2002

Locations of visitors to this page